AKB jep alarmin: Importet nga Serbia, një “pushtim i heshtur” që po kërcënon ekonominë e Kosovës
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka lëshuar një reagim të ashpër dhe alarmues lidhur me rritjen dramatike të importeve nga Serbia, duke e cilësuar këtë fenomen si një “pushtim të heshtur” dhe një kërcënim direkt për prodhimin vendor dhe sovranitetin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga AKB, shifrat tregojnë një rritje shokuese prej mbi 118% të importeve nga Serbia në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e mallrave serbe që kanë hyrë në tregun kosovar ka kapur shifrën prej 110.53 milionë euro, nga 50.64 milionë euro që ishte në vitin 2024.
“Kjo rritje nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por një sinjal i qartë i rikthimit agresiv të produkteve serbe në tregun tonë dhe i rrënimit të prodhuesve vendorë”, theksohet në komunikatën zyrtare të AKB-së.
Aleanca thekson se kjo situatë alarmante është një pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e masave kufizuese ndaj mallrave serbe në tetor të vitit të kaluar. Ky vendim, sipas AKB-së, u mor “pa asnjë kusht dhe nën trysninë e faktorit serb dhe ndërkombëtar”, duke lënë prodhuesit vendorë të pambrojtur përballë një konkurrence jolojale.
“Produktet ‘Made in Kosovo’ po zëvendësohen nga ato serbe në rafte, në tregje e në tryezat tona,” vazhdon reagimi, duke e cilësuar këtë jo vetëm si një çështje ekonomike, por si një çështje dinjiteti kombëtar dhe vetëvendosjeje. AKB e konsideron të papranueshme që një shtet, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht punon kundër saj, të lejohet të dominojë ekonominë vendore pa asnjë lloj reciprociteti apo kriteresh mbrojtëse.
Në një kritikë të hapur ndaj qëndrimit politik, AKB thekson ironinë e situatës aktuale: “Ironikisht, ata që dikur protestonin kundër ‘maunave serbe’, sot heshtin, madje e lehtësojnë hyrjen masive të këtyre mallrave.”
Përballë kësaj sfide, Aleanca Kosovare e Bizneseve i bën thirrje të fortë ndërgjegjësimit qytetar dhe institucional. Ftesa i drejtohet çdo konsumatori në Kosovë që të bëjë zgjedhje patriotike dhe të mbështesë aktivisht prodhuesit vendorë.
“Konsumoni produkte vendore! Mbështesni ekonominë tonë, prodhuesin tonë dhe pavarësinë tonë!” është mesazhi kryesor i fushatës së ndërgjegjësimit.
Në mbyllje, AKB paralajmëron se e ardhmja e qëndrueshme e shtetit nuk mund të ndërtohet duke importuar identitetin ekonomik të një vendi tjetër. Sipas tyre, Kosova ndodhet para një udhëkryqi vendimtar: të zgjedhë midis një “tregu të lirë dhe një shteti të lirë”.