Ahmeti: Këtë ‘ofertë’ ia bëra Isa Mustafës

Ahmeti: Këtë ‘ofertë’ ia bëra Isa Mustafës

Sot është lidhur marrëveshja e koalicionit parazgjedhor në mes të Partisë Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Pas kësaj marrëveshjeje krerët e të dyja partive kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shpalosur detajet e takimit.

I pari i PSD-së, Shpend Ahmeti, nuk e ka përjashtuar një marrëveshje edhe me partinë e Isa Mustafës, me të cilin është takuar mëngjesin e sotëm, madje ai ka thënë se këtë e ka biseduar edhe me Haradinajn

Ahmeti tha se takimi i sotëm me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ka kaluar në një frymë pozitive dhe se ia ka konfirmuar atij se PSD-ja është e gatshme për një koalicion parazgjedhor ose paszgjedhor.

“Unë jam taku sot me zotin Isa Mustafa, është takimi i dytë që e kemi bërë dhe mund të ju them se ka kalu në një frymë shumë pozitive. Unë i thashë edhe zotit Mustafa se si PSD kemi qenë dhe vazhdojmë të interesuar për bashkëpunim qoftë parazgjedhor, qoftë paszgjedhor”, tha Ahmeti.

Ahmeti, po ashtu, bëri të ditur se e ka njoftuar Mustafën për koalicionin parazgjedhor të PSD-së me AAK-në, por nuk kanë pasur diskutime për oferta.

Po ashtu, ai tha se edhe me Haradinajn janë dakorduar që të zhvillojnë diskutime me LDK-në për bashkëpunim parazgjedhor apo paszgjedhor.

“Diskutuam për temat konkrete, për të parë se cilat janë qëndrimet e LDK-së dhe PSD-së sa i përket energjetikës, taksës, dialogut, politikave fiskale dhe sociale, dhe mund të them që nuk do të ketë pengesa të mëdha për t’u realizuar ky bashkëpunim. I tregova që sot po vazhdojmë tutje me koalicionin parazgjedhor me AAK-në, nuk kemi pasur diskutime për oferta, mendoj se LDK-ja tash i procese të brendshme, zgjedhjen e kandidatit për kryeministër e diskutime tjera, por unë edhe sot në takimin me zotin Haradinaj jemi dakorduar që ta mbajmë qëndrimin që jemi të gatshëm si koalicion parazgjedhor të zhvillojmë diskutime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, thash qoftë për bashkëpunimin parazgjedhor qoftë paszgjedhor. Megjithatë tash si prioritet i kemi diskutimet me dy partitë tjera, me Aleancën Kosova e Re dhe Nismën për të parë mundësitë e bashkëpunimit”, ka thënë Ahmeti.

RAPORTO