AGK u bashkohet OJQ’ve dhe aktivistëve në kërkesën për dorëheqjen e Bordit të RTK’së

24.07.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u është bashkuar organizatave joqeveritare dhe aktivistëve në kërkesën për dorëheqjen e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

AGK u bashkohet OJQ’ve dhe aktivistëve në kërkesën për dorëheqjen e Bordit të RTK’së

Kjo kërkesë vjen pasi ky medium publikoi një artikulli të një portali boshnjak që i etiketon dy medium në vend si të Serbisë

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bashkohet organizatave joqeveritare dhe aktivistëve në kërkesën për dorëheqjen e Bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK’së.

Organizatat dhe aktivistët shprehën shqetësimin me deklarimin e bordit të RTK-së, pas një mbledhje të mbajtur të marten lidhur me shkrimin që u publikua. Bordi i përbërë nga Besnik Boletini, kryetar, dhe anëtarët Albulena Mehmeti, Arta Berisha, Safet Kabashaj, Fatime Lumi-Qehaja, Biroll Urcan, Dardan Beqiri dhe Radojica Mrdjinac, nuk mori asnjë masë dje.

“Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të “keqardhjes” për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të “sqaruar situatën” duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si “kontravers” dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë”, thuhet në reagimin e ojq-ve dhe aktivistëve.

Përtej ngjarjes së fundit, shoqëria civile dhe aktivistët thonë se “një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet”.

“Këtu përfshihen detyrimi i ish drejtorit gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj që të dorëhiqet dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, krijimi i një praktike të publikimit të informacioneve që shkelin standardet etike dhe ligjore siç ishte informacioni për dyshimet për atentate ndaj udhëheqësve të pushtetit, publikimi i videove të ndryshme që i ndihmojnë narratives qeveritare e deri tek lajmet si ky i fundit që për qëllim nuk e kanë informimin e publikut por bërjen e propagandës pro qeveritare”, thuhet në reagim.

Organizatat dhe aktivistët që u bashkuan për këtë reagim, konsiderojnë se “bordi i RTK-së duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre”.

Etiketat