AGK: Ramush Haradinaj ta shkarkojë Endrit Shalën pas sulmit ndaj gazetarit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj që të shkarkojë nga detyra Ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endri Shalën pas pamjeve që dolën ku ai shihet duke sulmuar gazetarin e portalit indeksonline.

Në reagimin e AGK-së thuhet se një person si Endrit Shala që godet gazetarët nuk e meriton të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës.

“Këto pamje dëshmojnë se si një person që përfaqëson institucionet e shtetit, pa frikë godet gazetarin. Një person i tillë nuk meriton të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës,e  aq më pak përfaqësues i popullit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK po ashtu kërkojnë nga kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj që të distancohet nga veprimi i zyrtarit të kësaj partie njëherit ministrit në detyrë, Endrit Shala.

AGK-ja ka kërkuar nga ministri Shala që të kërkojë falje publike për këtë akt.

“AGK kërkon nga Shala, që të kërkoj falje publike, të pranojë fajësinë dhe në të njëjtën kohë nuk mjaftohet vetëm  me një intervistim të tij nga ana e prokurorisë. Në të kundërtën  fton të gjithë kolegët gazetarë që të bojkotojnë punën e tij derisa ndaj këtij akti të merren masa konkrete nga autoritet përkatëse”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.