AGK: Qeveria të tërhiqet nga Projektligji për KPM-në, deputetët e VV-së të mos e votojnë
Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Flutura Kusari – Këshilltare ligjore, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias kanë mbajtur sot një konferencë për media lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Në komunikatën për media thuhet se Projektligji për Komisioni e Pavarur për Media është draftuar nga qeveria në procedurë jotransparente, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe të industrisë së mediave dhe është aprovuar në qeveri në kohë festash të fundvitit.
“Komisioni për Media i Kuvendit të Kosovës e ka trajtuar projektligjin në një shpejtësi të madhe, pa përfshirje të shoqërisë civile ndërsa opozita përgjithësisht ka qenë e painteresuar në procesin e draftimit dhe nuk ka ofruar alternativa tjera nga ajo çfarë ka propozuar pushteti.
Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë kanë gjetur që projektligji devijon nga standardet evropiane dhe kanë ofruar rekomandime për ta përmirësuar projektligjin. Rekomandimet nuk janë shqyrtuar apo trajtuar me seriozitet nga ana e Komisionit për Media dhe 83% e tyre janë injoruar”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, Projektligji për KPM nuk është i qartë, krijon pasiguri juridike dhe nuk respekton parimin e proporcionalitetit.
“Përmes tij, ndër të tjera, pritet të kapet politikisht Komisioni i Pavarur për Mediadhe mediat online do t’i nënshtrohen një rregullimi kaotik që nuk do të funksionojë në praktikë. Nëse aprovohet projektligji, pluralizmit medial si një arritje dhe vlerë që e dallon Kosovën nga rajoni do të rrezikohet seriozisht.
Ne e ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e votojë këtë projektligj që shkelë standardet e Këshillit të Evropës dhe kërkojmë që draftimi i tij të bëhet përmes një grupi të gjerë punues që përfshinë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe industrisë së medias. Ne shprehim gatishmërinë tonë që të ndihmojmë procesin e draftimit me synimin për një ligj për media që është në pajtim të plotë më standardet evropiane”, thuhet tutje në komunikatë.
“Kosova ka pësuar një rënie të paprecedentë dhe alarmante në indeksin e lirisë së mediave të Reporterëve pa Kufij, duke rënë për 19 vende në krahasim me vitin paraprak. Miratimi i këtij ligji nuk do të kontribuojë në përmirësimin e lirisë së mediave në vend”.