Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë vitit 2023 ka pranuar 549 ankesa

29.12.2023

Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të mandatit të saj ligjor në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë vitit 2023 ka pranuar në total gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (666) ankesa për të dyja fushat. Për mohimin e qasjes në dokumente […]

Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë vitit 2023 ka pranuar 549 ankesa Foto: Ilustrim

Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të mandatit të saj ligjor në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë vitit 2023 ka pranuar në total gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (666) ankesa për të dyja fushat.

Për mohimin e qasjes në dokumente publike, AIP ka pranuar 549 ankesa, 449 prej tyre janë mbyllur, ndërsa 100 ankesa janë në proces të shqyrtimit.

Janë shqiptuar katërmbëdhjetë (14) gjoba administrative për moszbatim të vendimeve detyruese.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se gjobat e shqiptuara ndaj institucioneve publike janë: ndaj Komunës së Fushë Kosovës – 10 gjoba; Universitetit Publik ‘Hasan Prishtina’ – 1 gjobë; Komunës së Shtërpcës – 1 gjobë; Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – 1 gjobë; dhe Komunës së Gjilanit 1 gjobë.

Shuma totale e të gjitha gjobave është 47.000,00€ (dyzet e shtatë mijë euro).

Ndërsa, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AIP ka pranuar njëqind e shtatëmbëdhjetë (117) ankesa, ka kryer 118 (njëqind e tetëmbëdhjetë) inspektime, prej të cilave, 60 inspektime, sipas ankesës; 58 sipas detyrës zyrtare.

“Numri në total i vendimeve të nxjerra është 178. Janë shqiptuar 4 gjoba, ndër to 3 për kontrollues privatë (Asistenca Rrugore e Kosovës dhe Asistenca Rrugore “Kenguri” për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë, si dhe ‘Soma’ Sh. P. K. për mos zbatimin e vendimit të Agjencisë për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë); ndërsa 1 gjobë ndaj Partisë Social Demokrate për publikimin e të dhënave personale. Shuma totale e të gjitha gjobave është 32.000€”, thuhet në njoftim.

Gjatë vitit 2023, Agjencia për Informim dhe Privatësi është bërë anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Frankofone për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Është përfaqësuar në tetë konferenca ndërkombëtare dhe rajonale (në cilësinë e panelistes), si dhe ka qenë nikoqire e Konferencës Rajonale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ‘’Iniciativa 20i7’.

Janë lëshuar 48 këshilla dhe opinione ligjore për kontrollues publikë dhe privatë, janë miratuar 4 (katër) rregullore dhe janë nxjerrë 5 (pesë) udhëzues për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe janë lëshuar 8 (tetë) vendime për transferim ndërkombëtar të të dhënave personale.

Me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve, institucioneve publike dhe private, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, ja realizuar 83 (tetëdhjetë e tri) aktivitete informuese, përfshirë konferenca, tryeza, punëtori, ligjërata dhe paraqitje publike me pjesëmarrës nga institucionet qendrore dhe lokale. Përveç komunave, janë përfshirë edhe gjykatat, prokuroritë, policia, bizneset (banka, kompani të sigurimeve, Odat Ekonomike), universitetet, shoqata e psikologëve, spitale dhe qendra familjare, pastaj shkolla e institucione parashkollore.
Vlen të theksohet se të dhënat statistikore, të përmbledhura për punën e periudhës një vjeçare, dëshmojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të ushtruar dhe jetësuar të drejtat e tyre qytetare e njëkohësisht edhe besimin e shtuar për institucionin mbikëqyrës.