Agjencia për Akreditim pret që deri në qershor të kthehet në ENQA

26.04.2021

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) pret që deri në fund të muajit qershor të këtij viti do të plotësojë 90% të standardeve për kthim në ENQA. Po ashtu edhe Ligji për Agjencinë pritet të miratohet së shpejti, pasi që edhe kjo është njëra nga kriteret kryesore që duhet të plotësohet. Kështu ka bërë të […]

Agjencia për Akreditim pret që deri në qershor të kthehet në ENQA Foto: Ilustrim

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) pret që deri në fund të muajit qershor të këtij viti do të plotësojë 90% të standardeve për kthim në ENQA.

Po ashtu edhe Ligji për Agjencinë pritet të miratohet së shpejti, pasi që edhe kjo është njëra nga kriteret kryesore që duhet të plotësohet.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, i cili ka theksuar se në bazë të planit dinamik, punët e agjencisë do të përfundojnë deri në qershor.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) kishte përgatitur një plan dinamik që parashiheshin të gjitha hapat që do të ndërmerren për plotësimin e kritereve të ENQA-s, të cilën më pas e kishin dorëzuar në Ministrinë e Arsimit.

Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka thënë për Radio Kosovën, se jo të gjitha punët për kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR, i takojnë Agjencisë së Akreditimit.

“Punët tona të cilat na rekomandohen, sipas planit dinamik do të përfundojnë në fund të qershorit. Komponentë më e vështirë ka qenë analiza tematike, të cilën po e zbatojmë me VUS Kosovën. Kemi pasur edhe kritere të tjera, të cilat i kemi plotësuar në bashkëpunim me projektet që i financon ADA austriake.”

Në plotësimin e standardeve hyn edhe Ligji për Agjencinë e Akreditimit, tha Gashi, i cili shpreson që së shpejti ky ligj të procedohet e të miratohet, pasi është një nga rekomandimet kryesore të ENQA-s.

Në draftin e këtij Ligji, parashihet që Agjencia e Akreditimit të ketë pavarësi institucionale dhe financiare, ashtu siç e kërkon ERA 2 dhe ENQA në sugjerimet që ia dërgon Agjencisë. Por, Gashi theksoi se për të aplikuar në ENQA, duhet të fillojë edhe zbatimi i ligjit.