Abdixhiku paralajmëron protesta: LDK-ja braktis institucionet nëse shkelet Kushtetuta
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë politike të partisë.
Në një intervistë për emisionin “Rubikon”, ai theksoi se LDK-ja është e gatshme të braktisë rrugën institucionale dhe të dalë në protesta, nëse nuk respektohet Kushtetuta e Kosovës.
Abdixhiku u shpreh qartë se ky hap, që do të konsiderohej një kthesë historike për një parti e cila ka operuar brenda institucioneve për 25 vjet, do të ndërmerret në rast se ligji themeltar i vendit shkelet.
“LDK-ja e ka konsideruar veprimin e vet politik tash e 25 vite, brenda institucioneve të Kosovës. Ende nuk është ardhur në atë pozitë që të konsiderojë veprimin jashtë institucioneve”, tha ai. Megjithatë, shtoi se kjo mundësi nuk përjashtohet.
Sipas kreut të LDK-së, në momentin kur vlerësojnë se një vendim i tillë është i nevojshëm, organet e partisë do të mblidhen, do të marrin vendimin për të braktisur institucionet dhe do të nisin protestat.
“Në qoftë se nuk respektohet Kushtetuta e Kosovës, për çfarëdo arsye, nuk ka kuptim më të veprojmë brenda institucioneve të Kosovës,” theksoi Abdixhiku. Ai e krahasoi Kushtetutën me një “referee” ose arbitër, pa të cilin funksionimi i institucioneve humbet kuptimin.