Abdixhiku i përgjigjet kërkesave për dorëheqje: “Pres dorëheqjet morale të atyre që sollën rezultatet më të dobëta”

23.06.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesave nga kryetarët e degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, për dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë.

Abdixhiku ka thënë se kërkesat për largimin e tij do të duhej të bëheshin drejtpërdrejt dhe jo përmes mediave, duke theksuar se me dy kryetarët ka pasur bashkëpunim të gjatë politik.

Ai ka pranuar se rezultatet e LDK-së në këto dy degë nuk kanë qenë të kënaqshme, por ka kërkuar përgjegjësi edhe nga drejtuesit lokalë. Sipas tij, dalja e partisë në vendin e tretë në komuna ku LDK-ja qeveris tregon, siç u shpreh ai, “sabotim të thellë” dhe një projekt që nuk i shërben interesit të partisë.

“Për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka deklaruar se çështjen e dorëheqjes së tij e ka trajtuar edhe më herët në Kuvendin e partisë më 31 janar, duke thënë se sipas tij, anëtarësia ka dhënë qëndrimin e saj.

Abdixhiku ka akuzuar për përpjekje për ndarje brenda LDK-së, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë, sipas tij, që “projekte të ndarjes dhe shuarjes së LDK-së” të marrin formë.

“LDK nuk është konfederatë e interesave lokale, as platformë e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale”, ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku u ka bërë thirrje anëtarëve të partisë që të ruajnë qetësinë, duke thënë se LDK-ja do t’i kalojë sfidat e brendshme. Ai ka shprehur keqardhje për atë që e cilësoi si “dëmtim nga brenda” në momente të rëndësishme për partinë.