AAK dhe PDK: Nesër votojmë pro shpërndarjes së Kuvendit

AAK dhe PDK: Nesër votojmë pro shpërndarjes së Kuvendit
Çlirim Gashi

21.08.2019 / Lajme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër pritet të votojnë për t’i dhënë fund ose jo legjislaturës aktuale. Partitë politike janë deklaruar se duan zgjedhje të jashtëzakonshme dhe që do të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit.

Deputetët pritet të votojnë shpërndarjen e Kuvendit, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, shkak për të cilën u bë ftesa e Gjykatës Speciale për intervistim si dhe pas refuzimit të ftesës së presidentit Hashim Thaçi që koalicioni PAN të propozojë një mandatar të ri.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës thonë se janë të gatshëm që nesër të vënë votën e tyre.

Këtë e kanë konfirmuar shefat e Grupeve Parlamentare të PDK-së, Memli Krasniqi dhe AAK-së, Ahmet Isufi.

“Po, grupi parlamentar i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës do të votoj për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës”,  tha Isufi, për KosovaPress.

“Kryetari Veseli e ka iniciuar mbledhje që ka rezultuar me seancën e nesërme, andaj vota e PDK-së, nesër është e padiskutueshme në favor të shpërndarjes së Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, në administratën e Kuvendit janë dorëzuar 93 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit, për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për datën 22 gusht 2019.

Ndryshe, po thuajse të gjitha partitë politike janë shprehur të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë java e fundit e shtatorit ose java e parë e tetorit pritet të caktohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kujtojmë se presidenti i vendit u kishte kërkuar koalicionit qeverisës një emër për mandatar në postin e shefit të Qeverisë por kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ishte përgjigjur si lider i koalicionit duke i kërkuar zgjedhje të reja.

RAPORTO