Seanca është planifikuar të fillojë në orën 11:00, me shpresën për të ecur përpara pas një periudhe të gjatë bllokimi.
Kjo vjen pas dështimit të 21-të me radhë të përpjekjes për konstituim, që ndodhi të dielën. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u kishte kërkuar sërish subjekteve politike që nuk kishin propozuar anëtarë për komisionin zgjedhor të bënin këtë, por pa rezultat.
Në seancën e së dielës ishin të pranishëm 90 deputetë. Kryesuesi Dehari procedoi me votimin e komisionit me anëtarët e propozuar më parë, ku 53 deputetë votuan pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime. Megjithatë, ky numër nuk mjaftoi për të miratuar komisionin.
Në këto rrethana, Avni Dehari njoftoi se Kuvendi do të vazhdojë punimet e seancës konstituive sot, 27 maj, në orën 11:00. Mbetet të shihet nëse kjo përpjekje e 22-të do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv drejt konstituimit të institucionit ligjvënës.