A ka teste të mjaftueshme për COVID-19: Ministria e Shëndetësisë tregon se cilat testime janë prioritet

Ndonëse kanë raportuar se po u bëhet presion personelit mjekësor lidhur me nënshtrimin e testeve për Covid-19, IKSHPK po vazhdon të kryej punën e tyre me testimin e personave të dyshuar se janë të prekur nga kjo pandemi.

Zëdhënësi për komunikim i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në një përgjigje për Gazetën Metro ka treguar nëse ka ose jo teste të mjaftueshme për të iu nënshtruar qytetarët e vendit tonë.

Duke treguar se cilat raste janë prioritet për testim në Kosovë, ku thotë se fillimisht testohen pacientët e hospitalizuar në Klinikën Infektive, kontaktet e personave që tashmë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, rastet e dyshimta të cilët paraqesin shenja të infeksionit, si dhe personat me sëmundje kronike, Hoti ka shtuar se teste të mjaftueshme nuk ka pothuajse asnjë shtet, por secili e bën prioritizimin se cilat raste duhet të testohen së pari.

“Teste te mjaftueshme apo sa do te deshironte te kete  nuk ka pothuajse asnje shtet, por secili e ben prioritizimin se cilat raste duhet te testohen se pari. Ne Kosove prioritet per testim jane pacientet e spitalizuar ne Kliniken Infektive; kontaktet e personave pozitiv ne Covid-19, rastet e dyshmita dhe qe manifestojne shenja te infeksionit dhe personat me semundje kronike”, ka thënë Hoti për Metron.

Ai tutje ka shtuar se deri më tani janë kryer 6 mijë e 955 testime, pa llogaritur ato të cilat po bëhen sot, duke shtuar se gjatë javës që lamë pas janë pranuar 7 mijë e 300 teste të reja, numri i të cilave pritet të rritet edhe më shumë.

“Ne mund te ju konfirmojme se vetem javen e kaluar IKSHPK ka pranuar 7300 teste, krahas te tjerave qe i ka pasur ne shfrytezim dhe se numri i testimeve eshte rritur dhe do te rritet edhe ditet ne vijim, kur pritet ardhje edhe e testeve te tjera. Deri tash jane kryer 6955 teste, pa i llogaritur testet qe po behen sot”, ka shtuar Hoti.

Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së djeshme 10 raste të reja kanë rezultuar pozitive me koronavirus, duke çuar në 790 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në të gjithë Kosovën, ku prej tyre 232 raste janë shëruar, ndërsa 22 të tjerë kanë vdekur.

RAPORTO