Kurti në konferencën për menaxhimin e burimeve ujore: “Uji, prioritet strategjik i shtetit”

19.12.2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në konferencën përfundimtare të projektit “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër”, organizuar nga Rilindja e Gjelbër dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se qështja e ujit nuk është vetëm një problem teknik, por një sfidë strategjike për Kosovë, duke pasur parasysh ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe nevojat e vazhdueshme për zhvillim ekonomik e social.

“Për ne si qeveri, uji është një burim jetësor dhe prioritet shtetëror. Kosova përballet me resurse të kufizuara ujore, dhe kjo na vendos mes shteteve me sasinë më të vogël të ujit në rajon. Gjendja jonë aktuale në thëlbin e saj, në mëson se duhet të menaxhojmë me kujdes, të mbrojmë dhe të rrisim kapacitetet tona ujore në funksion të së ardhmes së qytetarëve tanë,” deklaroi ai.

Kryeministri rikujtoi se burimet ujore të Kosovës i ngjajnë një pjate të kthyer përmbys, ku shumica e ujit që buron brenda vendit, përfundon jashtë kufijve. Ai theksoi se liqeni i Ujmanit mbetet burimi kryesor ujëmbledhës i vendit, me kapacitet maksimal prej 328.75 milionë m³, trefish më shumë se tre liqenet të tjera kryesore të Kosovës: Radoniqi, Batllava dhe Badovci, të marra së bashku.

“Me burime ujore të centralizuara dhe shumë të pakta, duhet të sigurojmë që ato të menaxhohen më mirë dhe të mbrohen më me kujdes. Gjithashtu, planifikimi i projekteve të reja për rritjen e kapaciteteve ujore duhet të jetë prioritet kombëtar,” shtoi Kurti.

Si pjesë e strategjisë kombëtare për menaxhimin e ujit, Kryeministri detajoi projektet kryesore në zhvillim, për ndërtimin e rezervuarëve të rinj. Këto përfshijnë:

  • Firajë, me kapacitet prej 16.5 milionë m³;
  • Shtime, me 113 milionë m³;
  • Pollatë, me 37.5 milionë m³;
  • Rezervuarë në Desivojcë, Kremenatë, Gjyrishevc, Kuçicë dhe Dragaqinë, që së bashku shtojnë mbi 204 milionë m³ kapacitete të reja.

“Këto investime jo vetëm që ndihmojnë për të përballuar sfidat klimatike si thatësirat dhe përmbytjet, por sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me ujë për pije dhe ujitje në të ardhmen,” vuri në dukje Kurti.

Përveç projekteve të reja, Kryeministri theksoi investimet që janë realizuar për rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellësit në qytetet kryesore si Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Prizren. Po ashtu, investimet në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza janë një pikë kyçe e planit kombëtar, me projekte tashmë të përfunduara në Pejë, Gjakovë dhe Prizren.

“Sistemi i ri i stacioneve hidrologjike dhe meteorologjike që kemi vendosur, trefishon kapacitetet tona për paralajmërimin e hershëm të përmbysjeve dhe thatësirave, duke kontribuar drejtëpërdrejtë në reduktimin e humbjeve të ujit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve,” përfundoi Kryeministri.

Kurti shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Rilindjes së Gjelbër dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai e cilësoi projektin “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër” si një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë dhe më të gjelbër.

Duke përfunduar fjalimin, Kryeministri tha se ndryshimet klimatike vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për Kosovën. Me 65% të territorit dhe 82% të popullsisë në rrezik nga përmbytjet lumore, veprimet e menjëhershme dhe të koordinuara janë të domosdoshme për të përballuar sfidat dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët e Kosovës.