95 mijë doza të vaksinës ‘Pfizer’ pritet të arrijnë në Kosovë, e konfirmon BE

95 mijë doza të vaksinës ‘Pfizer’ pritet të arrijnë në Kosovë, e konfirmon BE
Saranda Bytyçi

20.04.2021 / Lajme

Bashkimi Evropian ka ndarë 651 mijë doza të vaksinave “Pfizer/BioNtech” për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i dërgesës së këtyre vaksinave është imunizimi i profesionistëve shëndetësorë dhe grupeve tjera me përparësi.

Këto vaksina do të vijnë direkt nga BE-ja, dhe janë të pavarura nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot ka bërë të ditur se nga këto vaksina Kosova do t’i përfitojë 95 mijë doza, të cilat pritet të vijnë në Kosovë nga muaji maj.

“Qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit. 95.000 doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi në këtë së bashku”, ka shkruar Von der Leyeni në Twitter.

RAPORTO