65-vjeçari dhunon seksualisht 60-vjeçaren në sy të partnerit në Lipjan
Një rast i tmerrshëm i dhunës seksuale ka tronditur Lipjanin në orët e para të mëngjesit të sotëm, 30 maj.
Një grua ka përjetuar momente ankthi brenda shtëpisë së saj, duke u dhunuar seksualisht nën kërcënimin e armës së ftohtë dhe në prani të bashkëjetuesit.
Sinjali raporton se i dyshuari është A.S., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e viktimës D.R., rreth 60 vjeç, dhe partnerit të saj Xh.Z., rreth 40 vjeç.
I armatosur me një thikë dhe një çekan, i dyshuari fillimisht ka kërcënuar çiftin dhe më pas ka kryer aktin e dhunës seksuale ndaj gruas, në sy të bashkëjetuesit të saj. Ky akt brutal ka lënë pasoja të rënda psikologjike dhe fizike tek viktima.
Menjëherë pas ngjarjes, viktima ka kërkuar ndihmë dhe është transportuar për trajtim mjekësor. Ndërkohë, rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, përfshirë Hetimet Rajonale dhe Forenzikën Rajonale. Po ashtu, është njoftuar edhe Prokurori për Krime të Rënda.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari A.S. është ndaluar për 48 orë. Kundër tij kanë nisur hetimet për veprën penale të dhunimit, e cila sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës konsiderohet si krim i rëndë dhe dënohet me burgim afatgjatë.
Ky rast i rëndë shton shqetësimin për numrin në rritje të rasteve të ngacmimeve, sulmeve dhe dhunës seksuale në vend, ku shpesh të dyshuarit janë persona të moshës madhore dhe të moshuar, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të keqpërdorur vajzat dhe gratë.