400 pjesëtarë të rinj do t’i shtohen FSK’së deri në vitin 2021

Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) këtë vit planifikohet t’i shtohen edhe 400 pjesëtarë të ri. Po ashtu kadetë të vendeve të tjera, do të vijnë për tu trajnuar në Komandën e Trajnimit dhe Stërvitjes.

Këtë e ka thënë komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rrahman Rama.

“Ne në fakt kemi planifikuar që në maj të fillojmë kampanjën e rekturtimit. Po do të kemi,  por varet prej situatës. Shpresoj se do ta kalojmë këtë situatë ku jemi aktualisht por,  mund ta bëjmë edhe në pjesën e dytë të vitit. Ne e kemi në plan që edhe 400 rekrut t’i kemi këtë vit, të bëhet rekrutimi i tyre, përzgjedhja, seleksionimi ta kryejnë trajnimin bazik që në janar 2021 të jenë aktiv”, tha Rama.

Ai ka thënë se transformimi në ushtri ka shkuar shumë mirë, madje edhe janë tejkaluar pritshmërinë.

“Deri në këto momente,  për shkak të pandemisë d.m.th janë tejkaluar pritshmërinë tona. Viti i parë ka qenë më shumë administrativ, ndryshimi i rregulloreve, i ligjeve dhe punë administrative që është dashur të merremi por gjithmonë duke ruajtur operacionalitetin që e kemi pasur dhe ngritjen e kapaciteteve bazuar në mandat dhe misionin e ri. Jemi shumë mirë, përveç kësaj periudhe që do të ndikojë në planin tonë të tranzicionit por,  edhe në jetën e përditshme të institucionit tonë. Është diçka e paparashikuar por,  ne do ta bëjmë një rivlerësim, riplanifikm të të gjitha aktiviteteve tona dhe besoj që do ta arrijmë qëllimin dhe synimin”, ka thënë Rama.  

Rama është shprehur se janë të kënaqur me të arriturat e deritashme.

“Por,  deri tash jemi të kënaqur me të gjitha të arriturat deri në këto momente. Prapë ne vazhdojmë, në kuptimin administrativ jemi duke punuar por,  në kuptimin teorik dhe praktik dallojnë, në kuptimin teorik jemi duke punuar dhe në atë praktik kurdo që krijohen kushtet”, shtoi Rama.  

Në këtë intervistë për Ekonomia Online, Rama ka folur edhe për angazhimin në FSK të pjesëtarëve të komuniteteve dhe presionet që janë bërë mbi ta për ta braktisur Forvën.

“Të jemi real në kohën që jemi nuk kemi pasur ndonjë problem. Është fakt që ka ekzistuar një presion që paardhur nga jashtë përkundër angazhimit dhe vullnetit tonë. Ne prapë kemi arritur progres në këtë çështje. Nuk jemi në atë nivelin që kemi dëshiruar por ne kemi minoritete, kemi mbi 10 për qind të komunitete.  Fatkeqësisht nga presioni që ka ardhur nga jashtë dhe nga persona të paautorizuar. Disa prej tyre e kanë leshu, jo me dëshirën e tyre”.

“Mua më gëzon fakti që asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë vërejtje sa i përket institucionit tonë prej momentit të rekrutimit të tyre, por edhe në shërbimin profesional, problem ka qenë presioni nga pjesëtarëve tonë dhe familjeve të tyre. Një pjesë e madhe e tyre i kanë mbijetuar këtij presioni . Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet qofshin ato vendore apo ndërkombëtare që ne t’i përkrahim dhe situata është me e qetë. Kanë vazhduar presionet sistematike por një pjesë e tyre janë aktiv”, tha Rama.

Ai  shtoi se janë të kënaqur me punën, angazhimin dhe performancën e tyre.

“Me zor sun i ndalim është sepse kjo ushtri profesionale, vullnetare. Pavarësisht atyre ne duhet t’i zbatojmë ligjet dhe rregulloret pa marrë parasysh se kush është, a është i komunitetit serb, boshnjak ose vet shqiptarët”, tha ai.

Rama ka thënë se prioritet e kanë ngritjen profesionale, e cila po bëhet në bashkëpunim me ShBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë , Turqisë e shumë vendeve të tjera.

“Ne ju kemi bërë ofertë vendeve tjera të jenë pjesë e akademisë sonë.  Janë kryer të gjitha parapërgatitjet, janë akredituar programet dhe është një program shumë profesional por, në të njëjtën kohë edhe përgatitjet për programin do të jetë në anglisht”, shtoi Rama.

Rama tha se në bashkëpunim me  ekipin këshillues të NATO-s, po ndërtojnë kapacitetet e ushtrisë.

“Ne jemi produkt i NATOS dhe çdo gjë është ndërtuar në bazë të standardeve të NATO-s. Krahas kësaj ne kemi dëshmuar me njohjen e kapacitetet plota në 2013 dhe si rezultat i angazhimit tonë jemi këtu ku jemi. A ka nevojë për më shumë? Po. Jemi duke i ndërtuar kapacitetet tona të brendshme. E kemi komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes që jemi duke i rishikuar dhe ndërtuar kapacitetet e reja gjithmonë duke i marrë parasysh ekspertizat që i kemi marrë por edhe njohuritë dhe eksperiencat prej vendeve që i përmenda, specifikisht prej ShBA-së”.

“Ky është qëllimi dhe synimi jonë. E kemi përkrahjen e tyre dhe të gjithë partnerëve tanë, interes i Kosovës është që t’i ndërtojmë kapacitete tona në komandën e trajnimit dhe Doktrinës dhe stërvitjes sepse jemi të obliguar t’i respektojmë ligjet bazuar në mandatin dhe misionin tonë.  Prioriteti i parë kanë qenë ndryshimet administrative . Ministria,  SHP jemi arritur  mbi 70 80 ti ndërtojmë këto kapacitete dhe tash synimi ynë është Komanda e Trajnimit dhe Stërvitjes për ndërtimin e kapaciteteve trajnuese”, shtoi Rama.

Ai ka thënë se FSK e ka një plan 10 vjeçar me partnerët, raporton EO.

“Varësisht prej situatës dhe prioritete që i kemi si shtet ne do të zhvillohemi por ne e kemi një plan 10 vjeçar që e kemi ndërtuar me partnerët tanë dhe fleksibiliteti, dhe prioritete janë çështje tjera që në vazhdimësi ne i shikojmë planet dhe programet tona. Ne i kemi tejkaluar planifikimet dhe rishikimet tona që i kemi pasur në fazën e parë të tranzicionit dhe këtë e kemi arritur bashkërisht falë angazhimit të gjithë pjesëtarëve qoftë në ministri, qoftë në Forcë”, u shpreh ai. 

Rama ka thënë se nuk ka ftohje të raporteve me ShBA-në.

“Unë nuk dua të përzihem në çështje politike. Sa i përket bashkëpunimit që ne e kemi më ushtrinë amerikane, jemi vetëm duke e ngritur bashkëpunimin dhe përkrahjen. E kemi planin tonë të përbashkët vetëm sa e kemi rritur dhe avancuar”, tha ai.

Ai ka folur edhe për krijimin e Gardës Kombëtare, ku ka treguar se janë në fazën e saj fillestare.

“Realisht Garda Kombëtare është një njësi e re në FSK. Garda është në fazën fillestare. Ne e kemi ndërtuar shtabin e Gardës dhe ajo për momentin ka për qëllim që të kujdeset për kapacitete aktuale dhe janë në komandën dhe menaxhimin e tyre. Çështja e gardës është prioriteti i parafundit. Në të ardhmen do të jetë 20 për qind aktiv, pjesa tjetër rezervë, do të jenë 6 komanda regjionale që do të përkujdesen, do të kenë me tepër bashkëpunim ose koordinim të punëve me autoritetet lokale dhe komunitetet. Jemi në fazën fillestare, e kemi krijuar bazën dhe gradualisht do ta zhvillojmë”, tha ai.

Gjenerallejtënant Rama, ka treguar edhe për pajisjet dhe financimin e FSK-së.

“Mjetet nuk janë kurrë të mjaftueshme por mbi bazën e planit dhe deklaratën financiare 5, 5 milionë për çdo vit, e kemi përkrahjen e plotë. Normal që kërkesat tona janë më të mëdha por ne në konsultim me MF dhe akterët tjerë, kresat tona janë më të mëdha por ne gjithmonë e respektojmë zhvillimin ekonomik, mundësitë buxhetore dhe nuk është qëllimi që të bëhemi barrë e buxhetit. Por e imja është të kërkojmë më shumë për ta arritur qëllimin dhe jemi duke e bërë. E kemi pasur dhe do ta kemi përkrahjen duke u bazuar në kërkesat tona reale”, shtoi ai.

Rama tha se FSK ka pajisje të mjaftueshme, por gjithnjë ka nevojë për pajisje më të sofistikuara.

“Pajisjet aktuale i kemi të mjaftueshme, gjithmonë por ne duke e rritur numrin dhe duke u zhvilluar brenda për brenda ne kemi nevojë për pajisje më të sofistikuara, gjithmonë duke u bazuar u bazuar në mandat për të ndërtuar obligimet tona neve na duhet pajisje shtesë”.

“Jemi në rrugë të mirë. Kemi bërë disa kontrata që janë shumë të rëndësishme dhe po jemi krahas zhvillimit profesional edhe në kuptimin administrativ por edhe të pajisjeve jemi mriz bazuar në kontratat që kemi bërë”, tha ai.

RAPORTO