310 persona të karantinuar në Qendrën Studentore, disa të ardhur nga Zvicra janë liruar

310 persona janë duke u karantinuar në Qendrën Studentore në Prishtinë, dhe sipas Drejtorit Fatmir Sfishta, kjo qendër ka kapacitete për të pranuar edhe 180 persona të tjerë.

Sfishta gjithashtu tha për Klan Kosovën se edhe 107 persona të tjerë që kanë udhëtuar nga Zvicra në Kosovë, janë strehuar në Qendrën Studentore, por rreth 50 prej tyre janë liruar me rekomandim të IKSHPK-së.

”Kemi pasur një informatë me një listë për 107 persona që kanë udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë, dhe kemi qenë të përgatitur t’i presim gjithë këta persona”.

“Në bazë të informatave që kam me rekomandime të Institutit, disa janë liruar”.

“Diku 50 prej tyre, sipas rekomandimit të IKSHPK-së, kanë qenë në moshë të shtyrë mbi 70 deri 80 vjet, gra shtatzëna dhe qytetarë që kanë probleme të tjera shëndetësore që nuk mund të qëndrojnë këtu dhe rekomandohet të shkojnë në vetizolim në shtëpitë e tyre”.

Si është gjendja e të strehuarve e atyre që po karantinohen në Qendrën Studentore si pasojë e dyshimeve se mund të jenë infektuar me Covid-19?

Përkundër shërbimeve që ne iu kryejmë në kuadër të ushqimit e higjienës, kanë kontrolla mjekësore permanente. Ekipa mjekësore gjendet këtu kushdo që ka nevojë, shkon dhe i viziton iu jep medikamentet e nevojshme”.

”Në fillim ka pasur problem, por tani edhe këta të karantinuarit e kuptojnë se çka është e mirë për ta. Masat në të madhe po respektohen nga ta”.

RAPORTO