31 pacientë me COVID-19 të hospitalizuar në spitalin e Prizrenit, 2 në gjendje kritike

Në Spitalin Regjional të Prizrenit deri në këto momente të hospitalizuar janë 64 pacientë, prej tyre pozitiv me COVID19 janë 31 pacientë, ndërsa 33 persona të tjerë janë në pritje të rezultatit të testit por edhe në procedura të testimit, ndërsa lajm i mirë sipas drejtorit të Spitalit Afrim Avdaj, është pajisja me 8 respiratorë të rinj.

Drejtori i Spitalit Rajonal ” Prim.dr Daut Mustafa” në Prizren, Afrim Avdaj, për <<TvPrizrenin>> thotë se në këtë institucion janë hospitalizuar 64 pacientë me shenja klinike Covid-19, ku kemi 31 raste të konfirmuara nga ky virus, ndërsa 33 tjerë janë në pritje të rezultatit dhe procedurave të testimit.

Drejtori Avdaj njofton më tej se, dy pacientë të shtrirë janë në gjendje më kritike dhe po trajtohen me intubim, 28 të tjerët me oksigjenoterapi por në gjendje stabile, ndërsa në mesin e të infektuarve kemi edhe një mjek, njofton ai.

Drejtori Avdaj, thotë se është lajm i mirë sjellja e 8 respiratorëve të rinj nga ministria e Shëndetësisë, dhe tashmë kemi gjithsejtë 13 pajisje të këtilla, dhe me angazhimin e stafit ndihmës, kemi kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin sa më të suksesshëm të gjendjes, thotë ai.

Ndryshe, përveç respiratorëve të rinj, gjatë ditës së sotme ky Spital është pajisur edhe me 14 shtretër, njoftoi në fund drejtori Avdaj.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.