3 mijë e 410 raste aktive dhe 480 të vdekur nga COVID-19

Që nga 13 marsi kur edhe u paraqitën dy rastet e para të të infektuarve me virusin korona në Kosovë, numri i të infektuarve ka shkuar në 12 mijë e 547 raste nga 47 mijë e 761 persona të dyshimtë në virusin SARS CoV2.

Nga COVID-19 u shëruan 8 mijë e 657 persona. Por janë 480 të tjerë që humbën betejën me virusin vdekjeprurës.

Ndërsa, nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) 3 mijë e 410 raste janë aktive me COVID-19.

E të hënën u raportua nga IKSHPK për 99 raste të reja të të infektuarve me virusin korona brenda 24 orëve, ndërsa për një ditë u raportua për vdekjen edhe të 13 rasteve me këtë virus.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR dhe në laboratoret private, janë testuar gjithsej 406 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 99 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 12.547 raste nga 47.761 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 480 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 152 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 8.657 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.410”, thuhet në raportin e djeshëm të IKSHPK-së.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.