Lajme

250 ftesa nga Specialja: Fitim Selimi ftohet si i dyshuar, udhëton muajin tjetër në Hagë

Listës së gjatë të të dyshuarve të cilët po ftohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, i është shtuar edhe një mjek.

Një ditë më parë, dy hetues ndërkombëtarë, përmes një ftese, e njoftuan kirurgun Fitim Selimi, se ai më 12 dhjetor është i obliguar të paraqitet para prokurorëve të Dhomave të Specializuara në Hagë, raporton KTV.

Por, kjo ftesë për Selimin, i cili gjatë luftës ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, nuk është befasi.

Ish-shefi i sektorit të shëndetësisë gjatë luftës, thotë se nuk ka asgjë të dyshimtë rreth funksionit dhe sistemit të sektorit të shëndetësisë që ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm.

Deri më tani, janë rreth 250 persona të cilët janë ftuar nga dhomat e specializuara për t’u intervistuar në Hagë. Sipas kryetarit të OVL të UÇK-së Hysni Gucati, interesimi më i madh i prokurorëve të Dhomave të Specializuara ndërlidhet me veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Derisa në Hagë këtë javë janë duke u marrë në pyetje ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe deputeti Rexhep Selimi, më 19 nëntor, për në Hagë do të udhëtojë edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ndërsa, në fillim të muajit dhjetor para prokurorëve të dhomave të Specializuara do të paraqitet edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.