20 vite nga lufta, Kosova akoma se ka bërë dokumentimin e krimeve

  • 06.04.2019, 19:03

Kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe kjo e fundit ende nuk ka arritur të bëjë dokumentimin e plotë të krimeve që kanë ndodhur nga ushtria serbe mbi civilët shqiptarë.

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Dhe rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale.  Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike. Si dhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.

Megjithatë, dy dekada pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë dokumentimin e saktë e të plotë të krimeve që kanë ndodhur. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili ishte funksional deri në vitin 2018, raporton REL.

Ish-drejtori i IHKL-së, Ismet Salihu, thotë se instituti, tashmë i mbyllur, ka botuar 9 libra për vrasjet, personat e pagjetur, gjenocidin serb dhe shkatërrimin e monumenteve dhe pasurisë së shqiptarëve.

Gjithashtu, Salihu pranon se nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve, por edhe mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave të ndryshme.

Sipas tij, instituti nuk ka mundur të bëjë më shumë pasi nuk është mbështetur nga institucionet, duke shtuar se puna më e madhe është bërë nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.

“Kemi qenë gjashtë persona dhe një teknik, shtatë (punëtorë në institut). Por, nuk na kanë mbështetur, nuk na janë lejuar mjetet të hulumtojmë në terren, çfarë kemi mundur të bëjmë vetë, më shumë në baza vullnetare i kemi bërë ato hulumtime”, thotë Salihu.

Të tjera