16 gushti, afati i fundit kur partitë duhet t’i zyrtarizojnë kandidatët për kryetarë komunash

30.07.2021

Më 17 tetor të këtij viti qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet lokale. Në këto zgjedhje të vjeshtës, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për të preferuarin e tyre për kryetar të komunës dhe asambleist. Tashmë partitë politike veçse kanë filluar t’i bëjnë publike emrat […]

16 gushti, afati i fundit kur partitë duhet t’i zyrtarizojnë kandidatët për kryetarë komunash Foto: Ilustrim

Më 17 tetor të këtij viti qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet lokale.

Në këto zgjedhje të vjeshtës, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për të preferuarin e tyre për kryetar të komunës dhe asambleist.

Tashmë partitë politike veçse kanë filluar t’i bëjnë publike emrat e kandidatëve të tyre për kryetarë të komunave.

Për të parin e Suharekës, AAK, PDK e LDK veçse kanë zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetar, me përjashtim të LVV-së që nuk e ka zyrtarizuar asnjë kandidat as në Suharekë e në asnjë komunë tjetër.

Hulumtuesi në IDK, Eugen Cakolli doke folur në lidhje me zyrtarizimin e kandidatëve, tha se data 16 gusht është afati i fundit kur partitë politike mund të aplikojnë për t’u certifikuar për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Cakolli theksoi se gjatë kësaj periudhe kohor subjektet politike duhet t’i bëjnë publike edhe kandidaturat me të cilat garojnë në zgjedhje.

“Tashmë kemi hyrë në dy javët e fundit të afatit ligjor, prej gati dy muajsh sa ka qenë i përcaktuar nga KQZ-ja, gjatë të cilit subjektet politike duhet të aplikojnë për tu certifikuar në zgjedhje.

Përkatësisht duhet të tregohen edhe kandidaturat e tyre për komunat përkatëse ku ata do të garojnë. Në bazë të planit operacional të miratuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 16 gushti është afati i fundit që subjektet politike kanë në dispozicion për të aplikuar në mënyrë që të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit.

Pas përmbylljes së këtij afati, KQZ-ja do të ketë kohë afërsisht 2-3 javë për t’i verifikuar të njëjtit, dhe për t’i dërguar shkresat nëpër institucionet përkatëse. Deri me 1 shtator është data e fundit që KQZ-ja të marrë vendim për tu certifikuar ose për të mos u certifikuar kandidatët e subjekteve politike”, ka deklaruar Cakolli për gazetën Blic.

Tutje Cakolli tha se jo të gjitha kandidaturat e bëra publike do të certifikohen nga KQZ-ja, pasi janë disa filtra të kontrollit.