15 vjet burgim për Zhijovin Nesiq, dënohet për dhunim gjatë luftës në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me 15 vjet burgim Zhijovin Nesiq, pasi u shpall fajtor për dhunim gjatë luftës në Kosovë.
Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila deklaroi se Nesiq, në bashkëkryerje me pjesëtarë të panjohur të forcave serbe, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjykatësja theksoi se në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 5 marsi 2024. Me aktvendim të veçantë, Nesiqit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Dënimi me burgim do t’i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Gjykatësja tha se e dëmtuara kishte identifikuar të akuzuarin Nesiq pranë Komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës, si dhe pranë Policisë në procesverbalin mbi identifikimin e të dyshuarit. Po ashtu, e dëmtuara kishte identifikuar Nesiqin edhe në Gjykatë dhe Prokurori.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, pasi aktgjykimi të pranohet me shkrim nga palët në procedurë.
Pas shpalljes së vendimit, Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKTMT), u shpreh se viktima e ka pritur me shumë emocione aktgjykimin.
“Ky vendim është mirëpritur edhe nga ne si organizatë, por veçanërisht nga e mbijetuara, të cilës vetëm sa ia komunikova lajmin edhe e ka pritur me mjaft emocione… Ky vendim i gjykatës sot është një satisfaksion për viktimën, që të paktën është shqiptuar një dënim prej 15 vjetësh burgim për të akuzuarin,” deklaroi Haliti. Ajo shtoi se presin që edhe për rastet e tjera të ketë drejtësi.