147 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Sot, më 10 qershor, shënohet 147-vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një datë me rëndësi të veçantë historike për kombin shqiptar.
Kjo ngjarje madhore shënon fillimin e organizimit politik të parisë së katër vilajeteve me shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.
Lidhja u themelua zyrtarisht më 10 qershor 1878 në Xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet i cili deri një vit më parë ishte qendra e Vilajetit të Kosovës. Themelimi i saj ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Traktateve të Shën Stefanit dhe Berlinit, të cilat u kishin caktuar territore të banuara nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke. Kjo nxiti shqiptarët të përgatiteshin për rezistencë kombëtare dhe mbrojtjen e tokave të tyre.
Për të shënuar këtë datë të rëndësishme, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Pas takimit zyrtar, ata do të marshojnë së bashku me të gjithë pjesëmarrësit nga Shtëpia e Bardhë deri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku pritet të mbahen edhe aktivitetet kryesore përkujtimore.
Kremtimi i Lidhjes së Prizrenit mbetet një moment reflektimi mbi historinë dhe përkushtimin e popullit shqiptar ndaj bashkimit dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar.