Më 3 gusht 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit votuan pro ndryshimit të amendamentit kushtetues, i cili mundësoi që Qeveria t’i procedojë më tej edhe dy projektligje të tjera që rregullonin funksionimin e kësaj gjykate të veçantë.
Themelimi i Gjykatës Speciale nuk kaloi pa reagime të fuqishme. Ishte opozita ajo që udhëhoqi kundërshtimet më të ashpra, duke e quajtur gjykatën të padrejtë, selektive dhe si një mjet që cenon sovranitetin e Kosovës. Kritikat ndaj funksionimit dhe synimeve të saj kanë qenë të vazhdueshme, me theks të veçantë mbi mënyrën se si ajo trajton vetëm një segment të historisë së luftës.
Nga ana tjetër, pozita dhe Qeveria e kohës pranuan se një gjykatë e tillë ishte një kompromis i vështirë, por i domosdoshëm për të larguar dyshimet ndërkombëtare rreth pretendimeve për krime lufte të supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Gjatë kësaj dekade, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur aktakuza ndaj figurave të rëndësishme të UÇK-së dhe të institucioneve shtetërore. Ndër ta janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish-eprori Salih Mustafa, si dhe udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Po ashtu, ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, janë ngritur akuza për krime të rënda.
Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar funksionojnë si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por ndodhen fizikisht në Hagë, Holandë. Ato përbëhen nga staf ndërkombëtar dhe synojnë të sigurojnë gjykim të paanshëm dhe të pavarur, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.
10 vjet pas miratimit të saj, Gjykata Speciale vazhdon të mbetet një temë ndarëse në Kosovë – për disa një nevojë për drejtësi dhe për të tjerët një padrejtësi historike. Me proceset ende në zhvillim dhe me ndikime të thella në jetën politike dhe shoqërore, mbetet për t’u parë se si do të përmbyllet kjo kapitull i ndjeshëm i drejtësisë kosovare.