10% e fëmijëve në Kosovë nuk kanë pasur qasje në mësimin në distancë

Llogaritet se rreth 10 për qind e fëmijëve në Kosovë nuk kanë pasur qasje në mësimin në distancë.

Kështu thotë eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci. Ai thotë se kjo shifër ka dalë sipas disa hulumtimeve dhe bëjnë pjesë kryesisht në grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online,  thotë se ndonëse për një kohë të gjatë fëmijët nuk kanë qenë fizikisht në shkollë, mësimi në distancë ka arritur të mos krijojë boshllëk, por jo në të gjitha mjediset.

“ Për fat të mirë nuk ka qenë boshllëk i plotë. Kemi pasur mësimin në distancë i cili një pjesë të mirë të këtij boshllëku e ka përmbushur, jo në të gjitha mjediset njësoj duhet ta kemi të qartë. Ka familje që i ka tre ose katër fëmijë dhe e ka vetëm një kompjuter dhe nuk munden ata të hyjnë të tretë në zoom në të njëjtën kohë. Te familjet e  tilla sigurisht që shkaktohen pasoja. Ka që nuk kanë fare qasje në teknologji. Vlerësohet se diku 10 % të nxënësve në Kosovë nga grupet e margjinalizuara nuk kanë marrë pjesë në mësimin në distancë sipas disa hulumtimeve që janë bërë”, tha ai për EO.

Sipas tij në situata të tillë ka mundësi dhe kuptim që të kompensohet mësimi.

“Aty ka mundësi dhe ka kuptim të organizohet një formë e ta quaj mësimit kompensues qoftë në qershor apo korrik. Por nëse shihet mundësi e fillimit të vitit shkollor më herët as kjo nuk mund të bëhet sepse nuk ka hapësirë kohore. Atëherë duhet të ju njihet çfarë kanë mësuar deri më 11 mars është ndërprerë shkolla”, shtoi ai.

Pupovci vlerëson se me tu sqaruar rrjedha e pandemisë duhet të analizohet se si duhet të vazhdohet tutje.

“Unë mendoj se me tu sqaruar rrjedha e pandemisë duhet të ulen Ministria e Arsimit, me Institutin dhe të mundohen ta parashohin zhvillimin e ngjarjeve them ashtu për një periudhë të një vjeçare. Nëse dyshohet se mund të jetë një valë e re e pandemisë ndoshta më mirë është që të fillohet më herët me vitin shkollor, të fillohet në fillim të gushtit. Ende nuk është e qartë se a do të kenë njerëzit të shkojnë në pushime, a do të hapen kufijtë, pastaj një numër i madh i qytetarëve aq shumë është dëmtuar ekonomikisht saqë i vështirë do të jetë organizmi i shkuarjes në pushime.

këto modalitete duhet të shqyrtohen”,shtoi ai.

Sipas tij kompensim i mësimit mund të bëhet te fëmijët që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin mësimin në distancë.

“Kompensim mund të ketë nevojë për fëmijët që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin mësimin në distancë. Sepse ata që e kanë ndjekur mësimin në distancë dhe tu përsëriten gjërat të cilat pak ose shumë i kanë mësuar përmes mësimit në distancë nuk më duket shumë efektive”, është shprehur ai.

LEXO EDHE:  Në pikat kufitare të Kosovës me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, po kërkohet test negativ për Covid-19

Pupovci vlerëson se nga kjo kohë kemi nxjerrë edhe mësime.  Sipas tij shumë njerëz kanë pasur dyshime rreth përdorimit të teknologjisë nga ana e mësimdhënësve. Ai tha se kjo tregoi se mësimdhënësi munden mirë ta përdorin teknologjinë.

“Cilësia e arsimit në Kosovë është e brishtë edhe në situatën normale dhe kur e ke një cilësi të brishtë nuk do të thotë se një ndërprerje e shkurtër të dëmton aq shumë. Në rastin e Kosovës kjo duhet të shihet si një mundësi e mirë sepse njerëzit te ne kanë vënë shumë dyshime në përgatitjen e shkollave tona, të mësimdhënësve tonë rreth përdorimit të teknologjisë. U pa që në momentin nuk pati zgjidhje tjetër që mësimdhënësit tonë nuk po e përdorin teknologjinë. I gjetën të gjitha programet për një periudhë shumë të shkurtër dhe i përdorën. Unë mendoj se kjo është një përparësi. Nxënësit nëse kanë humbur nga mësimi i rregullt në shkolla kanë përfituar nga pavarësimi sepse në këto tre muaj ata janë mësuar t’i qasen problemit në mënyrë më të pavarur. Krahas këtyre dobësive kemi edhe disa elemente që mund t’i quajmë pika të forta dhe këto duhet të shfrytëzohen. Edhe nëse fillon mësimi në mënyrën më normale të mundshme në shtator të themi se nuk ka më pandemi unë mendoj se shkollat tona nuk kanë nevojë të heqin dorë nga shfrytëzimi i teknologjisë”, tha ai.

Sipas Pupovcit, pas pandemisë do të ishte mirë që të bëhej një kombinim mes mësimit virtual dhe atij kur nxënësi është i pranishëm në klasë.

“Tashmë nxënësit janë mësuar që t’i dorëzojnë detyrat përmes emailit, ta vazhdojmë këtë praktikë. mos t’i themi asaj të vjetrës se duhet me doemos mësuesja gjatë orës. Ajo mund të bëhet në situata p.sh ndodhë shpesh dimrit ndërpritet mësimi për shkak të borës, ja më nuk kemi nevojë ta ndërpremë sepse u mësuam e organizojmë ato orë në distancë sepse është krijuar kultura e organizmit të mësimit në distancë, mësuesit tonë tani dinë të bëjnë video nëse ka nevojë. Tani më ka video sepse i ka prodhuar MASHTI. Edhe në Shqipëri është prodhuar nr i madh i videove dhe këto mund të shfrytëzohen në një situatë krize meteorologjike.  Pra thjeshtë unë mendoj se nga kjo periudhë ka përfitime që duhet të shfrytëzohen”, tha ai.