10 ditë deri te konfirmimi ose hudhja poshtë e aktakuzës ndaj presidentit Thaçi dhe Veselit

Më 24 qershor të këtij viti një kumtesë për media e Zyrës së Prokurorit të Specializuar i kishte prerë rrugën për në Washington presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në njoftim thuhej se Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Në njoftimin për media të asaj date, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.

Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet në kumtesë, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhej në njoftim.

Në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren e Caktimit të Gjykatësve, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzës së re të paraqitur nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Kështu që aktakuza kundër Thaçit dhe Veselit e dorëzuar më 24 prill të këtij viti ka afat edhe 10 ditë (24 tetor) që të konfirmohet apo të hudhet poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.