Sindikata kërkoi rritjen e pagës minimale në sektorin privat në 600 euro, zbatimin e marrëveshjeve kolektive, sigurime shëndetësore dhe themelimin e Gjykatës së Punës.
Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, gjatë protestës tha se nëse kërkesat e tyre nuk adresohen deri më 1 shtator, punëtorët e sektorit privat do të bojkotojnë punën. Ai akuzoi institucionet shtetërore se i kanë trajtuar punëtorët e sektorit privat si skllevër, duke theksuar se ende ka punëtorë që paguhen vetëm 232 euro.
Megjithatë, protestës e cila u mbajt në sheshin e kryeqytetit iu përgjigj vetëm një numër i vogël i punëtorëve. Pavarësisht pakënaqësive të shprehura vazhdimisht për kushtet e punës, duket se shumica e punëtorëve kosovarë zgjodhën ta shfrytëzojnë këtë ditë për pushim dhe festime, duke mos iu përgjigjur thirrjes për protestë në një numër të madh. Kjo pjesëmarrje e ulët ngre pikëpyetje mbi gatishmërinë e punëtorëve për të ndërmarrë veprime kolektive në mbrojtje të të drejtave të tyre.