Tragjedi në Itali: Humb jetën në vendin e punës i riu nga Kosova
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Villadossola të provincës italiane Verbano-Cusio-Ossola, ku një i ri me origjinë nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në vendin e punës.
Platforma Urgjent raporton se viktima është identifikuar si Pashtrik Krasniqi, 21-vjeç, i cili ishte i angazhuar në çmontimin e skelave pas përfundimit të renovimeve në një objekt në këtë zonë.
Sipas të dhënave të para të publikuara nga mediat italiane, i riu është goditur nga rryma elektrike teksa ndodhej në një platformë në një lartësi rreth 6 metrash. Dyshohet se kontakti me një kabllo të energjisë elektrike është bërë aksidentalisht me pulpën e këmbës, duke shkaktuar goditjen fatale.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të ndihmës së parë, përpjekjet për ta shpëtuar kanë rezultuar të pasuksesshme. Mediat italiane si Virgilio.it dhe Il Messaggero raportojnë se i riu ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar standardet e nevojshme të sigurisë në vendin e punës.
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal dhe atë të emigrantëve shqiptarë në Itali. Ndërkohë, familja e Pashtrik Krasniqit në Kosovë është njoftuar për humbjen e rëndë.