Itali, kryen seri vjedhjesh banesore, arrestohen dy shtetas shqiptarë dhe një kosovar

21.12.2024

Karabinierët e njësisë hetimore të komandës provinciale të Pistoias kanë arrestuar tre burra, dy shtetas shqiptarë dhe një kosovar, si të dyshuar për një seri vjedhjesh të rënduara banesore në provincat Pistoia, Firence, Prato dhe Piza.

Arrestimi i tyre u krye të dielën e kaluar, bazuar në urdhër të prokurorisë, pas një hetimi të thelluar që kishte nisur në tetor.

Karabinierët nisën hetimet pas disa rasteve të vjedhjeve të raportuara në komunat Montale dhe Agliana të Pistoias. Analiza e pamjeve nga kamerat e survejimit ishte vendimtare për identifikimin e automjeteve të përdorura nga të dyshuarit dhe për dokumentimin e lëvizjeve të tyre. Këto prova i lidhën të arrestuarit me një numër vjedhjesh të kryera në zonën e Pistoias dhe provincat përreth.

Hetimi gjithashtu zbuloi bazën operacionale të grupit kriminal, e cila ndodhej në një zonë periferike të Firences. Arrestimi u krye në momentin kur të dyshuarit po ktheheshin nga inspektime paraprake në zonën e Pistoias, ku kishin planifikuar të kryenin vjedhje të tjera gjatë natës.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi një sërë veglash dhe pajisjesh të përshtatshme për vjedhje, përfshirë grirëse, prerëse teli dhe kaçavida të mëdha. Përveç këtyre, u konfiskuan edhe veshje operative, si rroba të zeza, doreza, maska dhe pajisje për të fshehur identitetin.

Njëri nga të arrestuarit kishte një urdhër burgu të mëparshëm të lëshuar nga prokuroria publike e Livornos për disa vjedhje të kryera në atë zonë gjatë vitit 2021.