Itali, arrestohen katër persona, tre prej tyre shqiptarë, kapen me 61 kg hashash

09.09.2025

Një operacion i suksesshëm nga skuadra mobile e Rovigos në Itali ka çuar në arrestimin e katër personave, tre prej tyre me origjinë shqiptare, pas kapjes së 61 kilogramëve hashash.

Ngjarja ndodhi në Boara Pisani, ku policia ndaloi të dyshuarit, të cilët akuzohen për transport dhe posedim të rëndë të një sasie të madhe të lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë tre shqiptarë, përkatësisht një 29-vjeçar dhe një 32-vjeçar, të dy banorë të Rovigos, si dhe një 26-vjeçar nga Villadose. Së bashku me ta u arrestua edhe një 22-vjeçar italian, banor i Rovigos. Përveç drogës, autoritetet sekuestruan gjithashtu 36,000 euro në para të gatshme, të cilat dyshohet se janë produkt i aktivitetit kriminal, shkruan urgjent.com.

Pas arrestimeve, Prokuroria Publike e Rovigos kërkoi dhe mori nga gjykatësi për hetime paraprake vlefshmërinë e arrestimit për të katër personat. Më tej, gjykata vendosi urdhrin e paraburgimit paraprak për dy prej tyre, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.