Itali, 53 vjeçari shqiptar kapet me 40kg kokainë, vlera 4 milionë euro
Një 53-vjeçar shqiptar, i cili rezulton të jetë pa precedentë penalë, është arrestuar nga policia në Perugia pasi gjatë një kontrolli rutinë iu gjetën mbi 40 kilogramë kokainë. Ndalimi i tij u bë teksa lëvizte me automjet përgjatë unazës Perugia-A1.
Sipas njoftimit të selisë së policisë së kryeqytetit umbrian, sasia e drogës e sekuestruar, nëse do të hidhej në treg, do të gjeneronte një vlerë prej rreth 4 milionë eurosh.
Oficerët e skuadrës fluturuese, gjatë shërbimeve të zakonshme të kontrollit territorial, kanë vënë re një automjet që u konsiderua i dyshimtë për shkak të mënyrës së çrregullt të lëvizjes. Pas ndalimit për kontroll, brenda makinës së drejtuar nga shtetasi shqiptar, në një fund të dyfishtë të krijuar poshtë sediljes së përparme, u gjet dhe u sekuestrua një bllok me rreth një kilogram kokainë.
Hetimet e mëtejshme të policisë, të ndihmuar nga personeli i komisariatit të Parmës, çuan në zgjerimin e kontrollit në një garazh në pronësi të 53-vjeçarit, i cili ndodhej në Salsomaggiore (Parma). Në këtë vend u gjetën 39 blloqe të tjera të të njëjtit lloj droge, me një peshë totale prej mbi 40 kilogramësh, si dhe rreth 189 mijë euro cash, për të cilat policia dyshon se janë rezultat i aktivitetit të trafikimit të drogës.
Personi në fjalë është arrestuar me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shitjeje. Me urdhër të prokurorit publik, ai është dërguar në burgun Perugia-Capanne, ku do të presë zhvillimin e seancës dëgjimore.