Arrestohet një 27-vjeçar shqiptar në Itali: Kapet me drogë në një dhomë hoteli
Një shtetas shqiptar 27-vjeçar është arrestuar nga Policia Italiane në Cesena, pasi iu gjetën 200 gramë kokainë dhe 470 euro në një dhomë hoteli.
Arrestimi ndodhi në kuadër të një operacioni të policisë italiane për luftimin e trafikut të drogës.
Sipas raportimeve, 27-vjeçari ishte nën monitorim për një kohë të gjatë nga autoritetet, pasi ai udhëtonte shpesh mes Italisë dhe Shqipërisë, duke qëndruar për periudha të shkurtra në zonën e Cesenës. Hetuesit vunë re se ai merrte me qira automjete në mënyrë të vazhdueshme gjatë qëndrimeve të tij dhe nuk rezultonte të kryente ndonjë aktivitet pune, duke ngritur dyshime për veprimtari të jashtëligjshme.
Gjatë ndërhyrjes në orët e para të mëngjesit, policia gjeti në dhomën e hotelit kokainën e ndarë në doza, e cila ishte vendosur në një komodinë, si dhe një shumë prej 470 eurosh në para të gatshme, që dyshohet se janë të ardhura nga trafiku i drogës.
Pas arrestimit, 27-vjeçari u dërgua në burgun e Forlì, ndërsa Prokuroria e Forlit pritet të japë një vendim të mëtejshëm. Gjatë seancës paraprake, gjykata konfirmoi masën e paraburgimit për të dyshuarin, duke e mbajtur atë në qeli.
Policia italiane vijon hetimet për të zbuluar nëse shqiptari ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikut të drogës në rajon.