Aksident fatal në Itali – Vdes 7 vjeçari shqiptar, babai i tij në gjendje të rëndë
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në provincën e Bolonjës, Itali, ku një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Sipas raportimeve të mediave italiane, aksidenti ndodhi rreth orës 21:00, kur një Volkswagen Corrado, i drejtuar nga një shofer shqiptar, u përplas me një Renault Clio që drejtohej nga një 20-vjeçar. Në sediljen e pasme të Volkswagen-it ndodhej babai i fëmijës, i cili po ashtu u plagos në këtë aksident.
Paraprakisht raportohet se përplasja e fortë ndodhi pasi një nga automjetet ka kaluar në korsinë tjetër për të shmangur një motor që po kthehej drejt një stacioni karburanti, duke shkaktuar humbjen e kontrollit dhe daljen jashtë rrugës të të dy automjeteve.
Ndërhyrja e shpejtë e emergjencës 118 nuk arriti t’i shpëtojë jetën fëmijës, i cili ndërroi jetë në vend. Gjithashtu u plagosën babai i tij dhe drejtuesi i makinës tjetër.
Karabinierët e kompanisë së San Lazzaro di Savena kanë marrë në dorë hetimet dhe po punojnë për të sqaruar detajet e aksidentit tragjik. Sipas raportimeve paraprake, fëmija që ndodhej në sediljen e pasme nuk kishte vendosur rripin e sigurimit, gjë që mund të ketë ndikuar në pasojat tragjike të ngjarjes.