Hashim Thaçi deklaron pafajësinë për formën e re të akuzës për ‘nxitje’

para 27 dite

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj formës së re të përgjegjësisë penale për “nxitje”, e cila iu shtua së fundmi pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Hashim Thaçi deklaron pafajësinë për formën e re të akuzës për ‘nxitje’

Thaçi është i akuzuar në këtë rast së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

Deklarata për mospranim të fajësisë është dorëzuar me shkrim më 24 prill 2025 nga mbrojtja e Thaçit, duke iu referuar Rregullores së Procedurës dhe Provave. “Në përputhje me Rregullën 92… deklarata me shkrim e z. Thaçi për mospranim të fajësisë për secilën pikë dhe akuzë në Aktakuzën e Rikonfirmuar të ndryshuar, përfshirë edhe formën shtesë të nxitjes për Pikat 1 deri në 3, është e bashkangjitur me këto parashtresa”, thuhet në njoftimin e mbrojtjes, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshimet në aktakuzë pas vendimit të Apelit

Më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ndryshoi vendimin e saj të mëparshëm për konfirmimin e aktakuzës, duke e zgjeruar atë përfshirë formën e përgjegjësisë për “shtytje” në kryerjen e veprës penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në përputhje me nenin 32 (3) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kjo pasoi me vendimin e Apelit që aprovoi pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit të mëparshëm, duke e pranuar vetëm pikën që ka të bëjë me përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Smakajt, Fazliut dhe Kilajt në kryerjen e veprës penale të pengimit të personave zyrtarë.

Debati rreth interpretimit të nenit 32 (3) të KPRK-së

Kontesti ligjor është përqendruar në interpretimin e nenit 32 (3) të KPRK-së, që lidhet me shtytjen për të kryer vepra penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim. Paneli i Apelit, me shumicë votash, ka konstatuar se edhe pse vepra për të cilën akuzohet Thaçi është e dënueshme nga një deri në pesë vjet burgim, forma e tretë e nxitjes mbetet e zbatueshme.

Paneli e cilësoi si gabim konstatimin e mëparshëm të gjyqtares se ky nen nuk zbatohet për veprën penale për të cilën akuzohet Thaçi, duke e pranuar kështu pikën katër të ankesës së Prokurorisë.

Rasti i rikthehet gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm

Pasi pranoi se ekziston një dyshim i bazuar mirë se Thaçi i ka nxitur Fazliun, Smakajn dhe Kilajn për të penguar zyrtarët në kryerjen e detyrave të tyre, Paneli vendosi që çështja t’i kthehet sërish Gjykatësit të Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm të provave dhe rrethanave.

Të akuzuarit dhe akuza ndaj tyre

Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 dhe u transferuan në paraburgim më 6 dhjetor. Hashim Thaçi u njoftua për fletarrestimin brenda objektit të paraburgimit në Hagë në të njëjtën datë. Hajredin Kuçi, ndërkohë, u paraqit para gjykatës më 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi ka vepruar individualisht dhe në bashkëpunim me grupe të strukturuara si Grupi Fazliu, Grupi Smakaj dhe Grupi Kilaj, të cilët pretendohet se kanë ndikuar në pengimin e dëshmitarëve gjatë vizitave në paraburgim më 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Për pasojë, Thaçi përballet me tri akuza për pengim të zyrtarëve, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkohë, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë për pengim dhe mosbindje, kurse Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Etiketat

Ofertat e fundit