Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, dhe mban firmën e avokates së Thaçit, Nina Tavakoli.

Në dokument thuhet se Thaçi ka deponuar një deklaratë të shkruar në të cilën mohon të gjitha akuzat e përfshira në aktakuzën e re. Sipas rregullores së punës dhe provave, kjo deklaratë është bashkëngjitur në materialet e dosjes së tij.

“Rrjedhimisht, në pajtim me rregullën 92 të Rregullores së Punës dhe Provave, deklarata me shkrim e z. Thaçi për deklarimin si pafajshëm për secilën pikë dhe akuzë në aktakuzë i bashkëngjitet parashtresave aktuale”, thuhet në dokumentin që mban nënshkrimin e avokates Nina Tavakoli.

Kjo deklaratë e fundit vjen pas një sërë akuzash të ngritura ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me pengimin e drejtësisë pas akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit në Kosovë.