Dritë e gjelbër nga Kushtetuesja për Ligjin e Zyrtarëve Publikë, i hapet rruga hyrjes në fuqi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Sipas vendimit të Gjykatës, ky ligj do t’i dërgohet Presidentes për shpallje dhe do të hyjë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara të deputetëve Arben Gashi dhe Isak Shabani me grupe të tjera deputetësh (rastet KO222/24 dhe KO224/24), të cilët kishin kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa neneve të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, konkretisht paragrafëve 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare).
Gjykata, me vendim unanim, ka deklaruar kërkesat të pranueshme dhe ka konstatuar se paragrafët e kontestuar të nenit 18 nuk bien ndesh me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës. Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se këto paragrafe nuk janë në kundërshtim as me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.
Bazuar në këto konstatime, Gjykata ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes për shpallje dhe Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare.
Parashtruesit e kërkesave kishin ngritur shqetësime kryesisht lidhur me shndërrimin e pozitave me mandat të pacaktuar në pozita me mandat të caktuar për nëpunësit civilë të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët. Sipas tyre, kjo shkelte “të drejtat e fituara” dhe cenonte “pritjet legjitime” të këtyre nëpunësve, duke prekur të drejtën e tyre në pronë dhe marrëdhënien e punës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës kishte kundërshtuar këto pretendime, ndërsa Zyra e Rregullatorit për Energji, me iniciativë të vet, kishte mbështetur në parim argumentet e deputetëve.
Gjykata, duke analizuar pretendimet, sqaroi se paragrafët e kontestuar rregullojnë shndërrimin e mandateve të pacaktuara në të caktuara për nivelet drejtuese të mesme dhe të ulëta, duke iu referuar edhe vendimeve të mëparshme të Gjykatës në raste të ngjashme.
Në vlerësimin e pretendimeve për cenim të së drejtës në pronë, Gjykata pranoi se ligji i ri sjell ndryshime që mund të rezultojnë në humbjen e mandatit të pacaktuar dhe mundësinë e zvogëlimit të pagës nëse mandati nuk vazhdohet ose nëse nëpunësit nuk rizgjidhen pas konkurseve publike. Megjithatë, Gjykata theksoi se e drejta e pronës nuk është absolute dhe mund t’i nënshtrohet kufizimeve nëse ato janë të përcaktuara me ligj, ndjekin një qëllim legjitim dhe janë proporcionale me atë qëllim.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se kufizimi/ndërhyrja në të drejtat e fituara është proporcionale, duke marrë parasysh se ndryshimet nuk janë të menjëhershme, por graduale, duke lejuar kohë për përshtatje. Gjithashtu, ligji nuk rezulton në humbjen e marrëdhënies së punës, pasi nëpunësit do të sistemohen në pozita të tjera profesionale dhe kanë të drejtë ankese.
Gjykata sqaroi se ligji i ri garanton minimalisht një mandat katërvjeçar për nëpunësit aktualë me mandat të pacaktuar, me mundësi vazhdimi edhe për katër vjet të tjera nëse arrijnë vlerësimin e kërkuar. Në rast të mosvazhdimit të mandatit ose mosri-zgjedhjes, atyre u garantohet një pozitë tjetër profesionale.
Për sa i përket pretendimeve për shkelje të barazisë para ligjit, të drejtës së punës dhe mjeteve juridike, Gjykata konstatoi se ligji nuk bën dallime të pajustifikuara, nuk shkel të drejtën e punës pasi ofron mundësi sistemimi dhe garanton mjete juridike për ankesa kundër vendimeve administrative.