Dënohet me burgim të përjetshëm i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes në Pejë

27.12.2024

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykimin ndaj Edmond Lajqit, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gj.U.

Vendimi u shpall të premten nga gjykatësi Muse Povataj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Edmond Lajqi u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë”, duke marrë dënimin maksimal të burgimit të përjetshëm. Për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,” nuk u shqiptua dënim shtesë, por arma e përdorur gjatë krimit u konfiskua.

Vrasja ndodhi më 16 prill 2024, në banesën e tij në Pejë, ku i pandehuri, pas një konflikti të gjatë me bashkëshorten, shtiu me armë zjarri drejt saj duke e qëlluar në kokë. Viktima ndërroi jetë në vendngjarje.

Rrethanat e ngjarjes

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës më 19 nëntor 2024, thuhet se Lajqi kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Ditën kritike, i pandehuri kishte kërkuar nga vajza e tyre të dilte nga banesa, me qëllim që të mbetej vetëm me viktimën. Pasi vajza u largua, ai e kreu aktin tragjik.

Pas vrasjes, Lajqi u paraqit vetë në Stacionin Policor të Pejës, duke deklaruar: “E vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë.”

Pranimi i fajësisë

Në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2024, Edmond Lajqi e pranoi fajësinë për vrasjen e bashkëshortes. Gjatë procesit gjyqësor, u bë e ditur se arma e përdorur ishte një pistoletë “Zoraki 917-T,” të cilën ai e kishte mbajtur pa leje.