[VIDEO] Sulm terrorist në Magdeburg: Shoferi përplas turmën në tregun e Krishtlindjeve

20.12.2024

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Magdeburgut në Gjermani, kur një automjet u përplas me turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjeve.

Incidenti ndodhi në orën 19:04 dhe ka shkaktuar viktima dhe të plagosur, ndërsa paniku përfshiu qytetarët e pranishëm.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Matthias Schuppe, sulmi është konfirmuar si akt terrorist. Automjeti i përfshirë, një BMW i errët, hyri me shpejtësi në turmë në afërsi të bashkisë. Shoferi është arrestuar menjëherë pas incidentit.

Mediat lokale raportojnë se të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz të shtrirë në tokë, ndërsa ekipet e emergjencës dhe policia ndodhen në vendngjarje.

Policia ka nisur një “operacion të gjerë”, duke rrethuar zonën dhe duke evakuuar tregun e Krishtlindjeve. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin qendrën e qytetit dhe të qëndrojnë të qetë derisa autoritetet të japin udhëzime të mëtejshme.

Sipas dëshmive, BMW-ja hyri drejtpërdrejt në turmën e njerëzve, duke shkaktuar panik dhe kaos. Njerëzit filluan të iknin me shpejtësi, ndërsa zhurma e sirenave të shërbimeve të emergjencës pushtoi zonën.

“Ne ishim duke shijuar atmosferën festive kur papritmas dëgjuam një zhurmë të fortë dhe pamë njerëz që vraponin në panik. Ishte e tmerrshme,” tha një dëshmitar për mediat lokale.

Policia dhe shërbimet e emergjencës vazhdojnë të jenë të pranishme në vendngjarje, ndërsa po hetohen rrethanat dhe motivet e sulmit. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë premtuar se do të ndajnë informacione të reja sapo të jenë të disponueshme.