Për herë të parë në historinë e shtetit gjerman zgjedhet një shqiptar kryetar i komunës
Arianit Besiri ka fituar në zgjedhjet për bashkinë Morbach shumicën e madhe të votave (60,2 %) . Zgjedhjet në këtë bashki të landit të Rheinland-Pfalz janë mbajtur me 24 nëntor, ndërsa mandati i tij në këtë post do të jetë pesë vjet.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti në një postim në Facebook shkruan se fitorja e Besirit në zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz shënon një moment të veçantë, jo vetëm për mërgatën tonë në Gjermani, por edhe për integrimin e tyre
“Një lajm i mrekullueshëm nga diaspora jonë! Fitorja e Arianit Besirit në zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz shënon një moment të veçant, jo vetëm për mërgatën tonë në Gjermani, por edhe për integrimin e tyre. Marrja e 60.2% të votave në një komunë gjermane me rreth 11,000 banorë është një dëshmi e qartë e besimit dhe mbështetjes që Arianiti ka fituar nga komuniteti lokal.
Kjo fitore shënon një precedent të rëndësishëm në historinë gjermane: një shqiptar nga Mitrovica zgjidhet për herë të parë kryetar komune. Arianiti, i cili ishte vetëm një vjeç kur familja e tij u shpërngul nga Kosova si pasojë e represionit serb, ka arritur një sukses që frymëzon të gjithë shqiptarët”, shkruan ambasadori.
Ai tutje bën të ditur se Arianit Besiri i angazhuar prej vitesh në politikën gjermane, ka qenë aktiv në kuadër të SPD-së dhe së fundmi duke shërbyer si bashkëpunëtor shkencor tek deputeti Lars Castellucci, kryetar i Komisionit për Politikë të Brendshme në Bundestagun gjerman.
“Fitorja e tij nuk është thjesht një arritje personale, por një mesazh i fuqishëm për diasporën shqiptare dhe brezat e ardhshëm: suksesi dhe përkushtimi nuk njohin kufij kombëtarë. Shqiptarët, kudo që ndodhen, mund të kontribuojnë në mënyrë të fuqishme në çdo nivel të shoqërisë.
Urime Arianit! Një histori suksesi që na bën të gjithëve krenarë”, shkruan tutje ai.