Gjermani, sulmoi me sëpatë gruan e tij, shqiptari 47-vjeçar dërgohet në klinikë psikiatrike
Gjykata rajonale e Darmstadt në Gjermani ka vendosur që 47-vjeçari shqiptar, i akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj gruas së tij, të dërgohet në një klinikë psikiatrike të mbyllur.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të gjendjes së tij mendore, ku u konfirmua se ai vuante nga skizofrenia paranojake, një çrregullim që besohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në veprimet e tij të dhunshme.
Incidenti ndodhi më 14 shkurt 2024, kur burri, i armatosur me një sëpatë, sulmoi brutalisht gruan e tij në një rrugë në Ober-Ramstadt. Sipas dëshmive, ai plagosi rëndë kokën e saj, duke shkaktuar panik në mesin e kalimtarëve, përfshirë disa studentë që ishin dëshmitarë të skenës së tmerrshme. Çifti ishte i ndarë dhe nuk jetonte më së bashku në kohën e sulmit.
Sipas deklaratave të gjykatës, burri veproi nën ndikimin e një besimi delirant, duke menduar se ai duhej të shpëtonte djalin e tij të moshës shkollore nga nëna e tij. Në mënyrë të pabazuar, ai e kishte akuzuar atë si pedofile dhe kishte ngritur raportime kundër saj, por hetimet nuk gjetën asnjë provë që të mbështesnin pretendimet e tij.
Kryetari i trupit gjykues, Volker Wagner, e cilësoi ngjarjen si “tentativë vrasjeje” dhe theksoi se burri paraqet një rrezik të madh për shoqërinë për sa kohë që sëmundja e tij mbetet e patrajtuar. Megjithëse ai do të qëndrojë pas hekurave, gjendja e tij do të monitorohet dhe trajtohet në një klinikë të specializuar psikiatrike.
I akuzuari deri më tani ka refuzuar çdo trajtim mjekësor, gjë që shton shqetësimet për sigurinë e tij dhe të tjerëve. “Për sa kohë që sëmundja mbetet e patrajtuar, i akuzuari është jashtëzakonisht i rrezikshëm,” paralajmëroi gjyqtari Wagner.