Gjermani, shqiptari 48-vjeçar arrestohet në aeroport për një gjobë të papaguar
Një 48-vjeçar shqiptar, i kërkuar me urdhër arresti, është arrestuar nga policia federale në aeroportin Niederrhein në Weeze, Gjermani. Ai ishte dënuar për drejtim mjeti pa patentë.
Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, kur policia federale ndaloi 48-vjeçarin në kuadër të kontrollit kufitar të një fluturimi nga Tirana. Gjatë verifikimit të të dhënave personale të tij me sistemin policor, rezultoi se ai ishte në kërkim nga prokuroria publike e Dortmundit për shkak të një dënimi të mëparshëm.
Sipas vendimit të gjykatës, i kërkuari duhej të paguante një gjobë prej 600 eurosh ose, në të kundërtën, të vuante një dënim prej 60 ditësh burgim.
Pas arrestimit, 48-vjeçari vendosi të paguajë gjobën e përcaktuar në polici, duke shmangur burgimin. Pas përfundimit të masave ligjore dhe policore, atij iu lejua hyrja në territorin gjerman.
Policia federale theksoi se kontrollet kufitare vijojnë me rigorozitet për të siguruar zbatimin e ligjit dhe për të ndaluar personat e shpallur në kërkim.