Gjermani, arrestohet i riu shqiptar për tentativë vrasjeje – plagosi rëndë një 24-vjeçar
Një i ri shqiptar, 19 vjeç, është arrestuar nga autoritetet gjermane mëngjesin e sotëm në Rahlstedt, nën dyshimin për një sulm të rëndë me pasojë plagosjen e një 24-vjeçari gjatë një grindjeje që ndodhi më 30 qershor 2025 në St. Georg, rreth orës 17:43.
Sipas policisë gjermane, në kohën e ngjarjes i dyshuari ishte 18 vjeç. Ai u identifikua falë deklaratave të dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, çka çoi në nisjen e një hetimi të plotë nga Skuadra e Vrasjeve në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Hamburgut.
Gjykata e rrethit lëshoi një urdhër arresti, i cili u ekzekutua në orët e hershme të mëngjesit me ndihmën e një njësie speciale policore në adresën e të dyshuarit. Pas arrestimit, ai u transferua menjëherë në paraburgim, ku gjykata konfirmoi masën e ndalimit, duke lëshuar një urdhër arresti për tentativë vrasjeje.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në vazhdim për të zbuluar nëse në këtë rast janë të përfshira edhe persona të tjerë.
Portali ynë do të vijojë të përcjellë zhvillimet rreth këtij rasti.