Sot tri ndeshje në Euro 2024, vëmendja te dueli Itali-Spanjë

20.06.2024

Sot zhvillohen tri ndeshje në Euro 2024, teksa vëmendja e futbolldashësve do të jetë në ndeshjen Itali-Spanjë, e cila zhvillohet nga ora 21:00.

Sot tri ndeshje në Euro 2024, vëmendja te dueli Itali-Spanjë Foto: Ilustrim

Dita nis me ballafaqimin e Grupit C, ndërmjet Serbisë dhe Sllovenisë, që zhvillohet nga ora 15:00. Sllovenët vijnë në këtë sfidë pas barazimit me Danimarkën, derisa serbët pas humbjes nga Anglia, por që u treguan rivalë të denjë për ‘Tre Luanët’, duke dëshmuar se skuadrat tjera të grupit nuk do ta kenë të lehtë kur përballen me ta.

Mjaft interesant pritet të jetë edhe dueli ndërmjet Danimarkës dhe Anglisë, që zhvillohet nga ora 18:00. Danezët ishin dominues ndaj sllovenëve në 45 minutat e para, por më pas çaluan shumë në pjesën e dytë dhe mund të mbeteshin pa pikë. Edhe sot pritet që Danimarka të kërkojë barazimin, duke pasur parasysh se përballë ka njërin prej ekipeve favorite të këtij kampionati.

Këto dy skuadra u takuan për herë të fundit në kampionatin e kaluar evropian, ku anglezët fituan vetëm pas vazhdimeve.

Finale e fazës së grupeve mund të vlerësohet përballja ndërmjet Italisë dhe Spanjës në Grupin B. Spanja erdhi në këtë turne me një numër të madh lojtarësh të rinj dhe kjo bëri që ajo të mos llogaritet favorite e madhe e këtij kampionati. Mirëpo, paraqitja e mirë ndaj Kroacisë bëri që tashmë shumëkush “Furinë e Kuqe” ta shohë si pretendente për trofe. Rivaliteti ndërmjet këtyre dy ekipeve është tejet i madh. Ky do të jetë dueli i tyre i tetë në fazën finale të Evropianit. Epilogu i këtij takimi ka rëndësi të madhe edhe për Shqipërinë, e cila pas barazimit të djeshëm kundër Kroacisë mbetet me shpresa për kualifikim tutje.

Ndeshjet e sotme

Grupi C: Slloveni – Serbi (15:00, Munih)
Grupi C: Danimarkë – Angli (18:00, Frankfurt)
Grupi B: Spanjë – Itali (21:00, Gelsenkirchen)