Si mund të bëhet regjistrimi i diasporës nga Kosova?

04.07.2023

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, thotë se regjistrimi i diasporës në procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili parashihet të bëhet gjatë këtij viti, ka një rëndësi shumë të madhe në aspektin social e ekonomik. “Regjistrimi i diasporës ka një rëndësi të veçante, ka një rëndësi […]

Si mund të bëhet regjistrimi i diasporës nga Kosova? Foto: Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, thotë se regjistrimi i diasporës në procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili parashihet të bëhet gjatë këtij viti, ka një rëndësi shumë të madhe në aspektin social e ekonomik.

“Regjistrimi i diasporës ka një rëndësi të veçante, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në aspektin socio-ekonomik për Kosovën. Andaj përkundër asaj që udhëzuesit e Kombeve të Bashkuar për regjistrimin popullsisë konsiderojnë që të mos bëhet regjistrimi i popullsisë jorezidente, ne duke parë këtë rëndësi të jashtëzakonshme, kemi dizajnuar një pyetësor të veçantë për të nxjerrë indikatorët e nevojshëm, të cilët kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh në aspektin social dhe ekonomik në Kosovë”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Berisha ka shtuar se duke parë rëndësinë e regjistrimit të diasporës, kanë dizajnuar edhe pyetësorin për t’i mbledhur të dhënat.

Ndërkohë që regjistrimi i mërgimtarëve do të bëhet nga familjarët që janë në Kosovë, por edhe nëpër ambasada e konsullata. “Është finalizuar pyetësori, ne e konsiderojmë një pjesë të madhe të të dhënave do t’i marrim nga vetë familjarët që janë në Kosovë. Mirëpo vlerësojmë që bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të organizojmë edhe nëpër ambasadat tona, nëpër konsullatat tona ose në forma të tjera që t’i mbledhim të gjitha informacionet për diasporën”, thotë tutje Berisha, përcjell albinfo.ch.

Në shtator do të nisë regjistrimi i popullsisë në Kosovë.