Lajmi është konfirmuar nga Policia e Bielefeldit, duke zbuluar se 33-vjeçarja përballet me akuza të rënda, përfshirë “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim të rëndë trupor”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, “Një grua 33-vjeçare nga Bielefeld, e kërkuar nga policia dhe prokuroria publike në bazë të një urdhër-arresti, është vetëdorëzuar në policinë e Bielefeldit mbrëmjen e 28 shkurtit 2025, e shoqëruar nga avokati i saj. Gruaja është motra e vëllait të ish-boksierit të vrarë, i cili gjithashtu u arrestua. E pandehura përballet me katër akuza për vrasje në tentativë dhe për veprën penale lëndim i rëndë trupor. Përfshirja e saj e saktë në krim është ende nën hetim”.

E dyshuara ka mohuar përfshirjen në ngjarje dhe aktualisht ndodhet në qendër paraburgimi. Ndërkohë, policia ka siguruar se katër personat e plagosur në incident janë në gjendje të qëndrueshme.

Ky zhvillim vjen pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur më 26 shkurt, kur gjatë gjykimit të njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Besar Nimanit, katër persona u plagosën nga të shtëna me armë jashtë gjykatës. Mes të plagosurve ishin edhe familjarë të të akuzuarit për vrasjen e boksierit.