Kroaci, bora shkaktoi kaos trafiku, në disa zona rrugët kryesore të bllokuara
Rënia masive e borës ka shkaktuar kaos trafiku në Kroaci, ku shumë rrugë janë bërë të pakalueshme. Në zonën malore të Zavizhanit, trashësia e borës arriti deri në 58 centimetra.
Në orët e para të mëngjesit, rrugët kryesore në disa zona u mbuluan plotësisht nga bora, duke penguar qarkullimin normal. Në veçanti, zonat përreth Gospiqit dhe Plitvicës u prekën më rëndë, ku bora arriti mbi 20 centimetra deri në orën 7:00 të mëngjesit. Në Zavizhan, niveli i borës ishte më shumë se gjysmë metër, duke krijuar kushte tejet të vështira për qarkullim.
Autoklubi Kroat (HAK) ka lëshuar një thirrje urgjente për qytetarët, duke i këshilluar që të mos dalin nga shtëpitë pa pajisje dimërore. Në njoftimin e tyre, autoritetet paralajmëruan se shumë rrugë janë të pakalueshme dhe vozitja pa goma dimërore apo zinxhirë është e rrezikshme.