Gjermania propozon legalizimin e kanabisit

13.04.2023

Ministri gjermanë i shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe ai i bujqësisë, Cem Özdemir, prezantuan të mërkurën plane për liberalizimin e kanabisit. Propozimi i zbuluar përfshin dekriminalizimin e sasive të kufizuara të drogës. Legjislacioni do t’i lejojë individët të posedojnë deri në 25 gram kanabis për përdorim personal dhe të jenë në gjendje të rritin tre bimë […]

Gjermania propozon legalizimin e kanabisit Foto: Ilustrim

Ministri gjermanë i shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe ai i bujqësisë, Cem Özdemir, prezantuan të mërkurën plane për liberalizimin e kanabisit.

Propozimi i zbuluar përfshin dekriminalizimin e sasive të kufizuara të drogës. Legjislacioni do t’i lejojë individët të posedojnë deri në 25 gram kanabis për përdorim personal dhe të jenë në gjendje të rritin tre bimë për të rritur.

Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach ka deklaruar se politika e mëparshme e drogës e vendit ka dështuar. Ai kishte paralajmëruar se qeveria gjermane do të vazhdonte me planin e saj origjinal vetëm nëse merr dritën jeshile nga BE.

Në një konferencë për shtyp, Lauterbach kishte deklaruar se objektivat fillestare të propozimit nuk kanë ndryshuar, me synimin e qeverisë për konsum më të sigurt, ndalimin e tregut të zi dhe mbrojtjen më të mirë të të rinjve.

Ndërkaq ministri i Bujqësisë, Cem Özdemir tha se projektligjet do të finalizohen këtë muaj dhe se konsumi do të bëhet i ligjshëm këtë vit, shkruan Euronews.

Mirëpo, ky propozim u përball me kritika nga politikanët e opozitës, të cilët kritikuan qeverinë e koalicionit të kancelarit Olaf Scholz të socialistëve, të gjelbërve dhe liberalëve, të njohur si koalicioni i “semaforëve”.

“Semafori është thelbësisht në rrugën e gabuar. Legalizimi i drogës është thjesht një qasje e gabuar,” shkroi në Twitter, Markus Söder, kreu i partisë së Bashkimit Kristian Social (CSU).

Kjo parti shtoi se plani i qeverisë për kanabisin do të rrezikonte veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, duke shtuar se nuk duhet të ketë legalizim.

Propozimi do të ketë nevojë për miratimin e dhomës së ulët të parlamentit gjerman, por zyrtarët thanë se nuk nevojitet një miratim nga dhoma e sipërme. Ajo dhomë përfaqëson 16 qeveritë shtetërore të Gjermanisë, shumë prej të cilave përfshijnë bllokun kryesor opozitar të qendrës së djathtë të vendit, i cili ka kundërshtuar legalizimin e kanabisit.