“Peisazhi përtej së dukshmes”, Refki Gollopeni dhe Fehmi Hoxha hapën ekspozitën në Paris

28.10.2024

Prej 21 deri 26 tetor 2024, në galerinë La Ville A des Arts, në Paris, qëndroi e hapur ekspozita “PAYSAGE: AU DELA DU VISIBLE” (Peisazhi: përtej së dukshmes) e dy artistëve të njohur kosovarë Fehmi Hoxha dhe Refki Gallopeni.

Kuratore e ekspozitës ishte artistja e njohur francese Larissa Noury.

Pikturat e ekspozuara të artistëve me motive peisazhesh abstrakte, plot kolorit dhe me struktura reliefore, përngjajnë me pamjet kozmike të pasqyruara nga teleskopët modernë, po ashtu me motive peisazhi që pasqyrojnë peisazhet e tokës së Kosovës, sidomos ato të rajonit të Suharekës ku shquhen rrafshinat me linja të krijuara nga vreshtat e vendit, pemët, gurët, gardhet, pyjet, lumenjtë, e atje në largësi edhe malet e larta që prekin horizontin.

Përdorimi i verës së kuqe të vendit për t’iu dhënë efekte estetike punimeve, ësht njëra ndër detajet e kreativitetit artistik të Refki Gollopenit.

Pra në njërin muri peisazhet qiellore e kozmike, e në tjetrin ato tokësore, të dyjat të punuara me mjeshtëri e hollësi, estetikë e devocion, imagjinatë dhe emocion, ofronjnë një përjetim të veçantë në këtë galeri arti të qytetit të artit,Parisit.

Si ngjyrat, si teknikat, si motivet, si edhe ambienti ku kanë ekspozuar – shumë afër lagjes së njohur parisiane të artistëve, janë krejtësisht të veçanta.

https://www.facebook.com/associationlavilleadesarts/posts/pfbid0o2YbuZNo5A6sCXf8EgvDZJdrSkRJb1HTXXevrgtc4JcwgWoX3sqUn4N37ywwESqWl