Panairi i 17-të i Librit në Prizren hap dyert për dashamirët e leximit

31.07.2025

Prizreni është kthyer në epiqendrën e kulturës dhe librit, me hapjen e edicionit të 17-të të Panairit të Librit, i cili këtë vit po organizohet nga Instituti për Kulturë dhe Kërkime Sociale – IKKS.

Në sheshin e Lidhjes së Prizrenit, ku janë ngritur stendat e 25 shtëpive botuese, vizitorët kanë mundësinë të eksplorojnë një gamë të gjerë librash në gjuhët shqipe, turke, angleze dhe boshnjake. Panairi do të qëndrojë i hapur për pesë ditë me radhë dhe synon të afrojë lexuesin me botimet më të reja, autorët dhe krijimtarinë letrare nga Kosova dhe rajoni.

Përveç ofertës së pasur me libra, çdo mbrëmje e panairit do të shoqërohet me konferenca të veçanta, ku do të marrin pjesë autorë të njohur, të cilët do të kenë rastin të takohen dhe të bashkëbisedojnë me lexuesit e tyre.

Panairi filloi dje dhe do të zgjasë deri më 3 Gusht.

Ky organizim përfaqëson një hap të rëndësishëm në nxitjen e kulturës së leximit dhe promovimin e letërsisë vendore, duke e bërë Prizrenin një pikëtakim të rëndësishëm të mendimit dhe krijimtarisë letrare.